Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Delphi, në Greqi.
Në këtë forum, i cili u iniciua nën kujdesin e presidentit grek, Prokopis Pavlopoulos më 25 shkurt të vitit 2016, në Qendrën Kulturore Evropiane në Delphi, bashkohen pjesëmarrës nga 32 vende dhe më shumë se 200 përfaqësues të mediave, çdo vit.
Gjatë këtij forumi i cili zgjat katër ditë, ndër të tjera, do të diskutohet edhe për luftën në Ukrainë. Lidhur me këtë, në panelin katër-ministror do të flasin dy shqiptarë, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schëarz, dhe homologu i saj nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani. Kjo, krahas Ministrave të Jashtëm të Greqisë e Sllovakisë, Nikos Dendias e Ivan Korcok.
Ndërkohë kryeministri, Albin Kurti, më 8 prill, do të zhvillojë një bisedë joformale me gazetaren Nektaria Stamouli, nga Athens/News Agency.
Gjatë ditës së sotme, në këtë forum, Kurti takoi kreun e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviqin, me të cilin diskutuan mbi raportet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e forcimit dhe përparimit të bashkëpunimit përkundër pengesave politike. Në takim u diskutua edhe për situatën politike dhe të sigurisë së rajonit, pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, të cilën të dy e dënuan ashpër.
Pos këtij takimi, kryeministri kosovar do të zhvillojë takime zyrtare edhe me përfaqësues të ndryshëm.
Forumin Ekonomik Delphi konsiderohet si një ngjarje politike, sociale dhe financiare brenda rajonit më të gjerë me tërheqje ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.