Disa raketa ruse goditën portin ukrainas të Odesas, disa orë pasi Moska dhe Kievi nënshkruan marrëveshje për të lejuar rifillimin e eksporteve të grurit.
“Pas këtij sulmi me raketa, e gjithë bota duhet të shohë se Rusia është një vend terrorist me të cilin është e pamundur të biesh dakord” tha Maksym Marchenko, kreu i Administratës së Rajonit Odesa.
Ishin dy raketa lundrimi ruse që goditën infrastrukturën e portit, derisa mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi dy të tjera. Mirëpo nuk u godit asnjë objekt për ruajtjen e grurit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se me sulmin në Odesa, Rusia po i tregon komunitetit botëror paaftësinë e saj për të negociuar.
Ndërsa rusët insistojnë se u goditën vetëm objektiva ushtarake.
“Në portin detar në qytetin e Odesa, në territorin e një kantieri detar, raketa me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi me bazë deti shkatërruan një anije luftarake” tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov.
Rusia dhe Ukraina nënshkruan të premten marrëveshje me OKB-në dhe Turqinë me qëllim që ti hapet rrugë eksportit të drithërave ukrainase dhe grurit e plehrave ruse, që pas luftës kërcënuan krizë ushqimore në botë.