Zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes së Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk ka thënë se trupat ruse po rrisin gradualisht intensitetin e ofensivës së tyre në Ukrainën lindore.
Ai tha se kishte “shenja se agresori po përgatitet për një aktivizim edhe më të madh të veprimeve ushtarake.
“Ne po shohim shenja se Rusia po ndërton gjithashtu grupimin e saj në zonën lindore të operacionit dhe tani po rrit dëshirën e saj për të kapur sa më shumë territor ukrainas të jetë e mundur. Përpjekjet kryesore të pushtuesve janë përqendruar në bllokimin e njësive tona pranë uzinës Azovstal”, tha ai.
Motuzyanyk akuzoi trupat ruse për marrjen me forcë të banorëve nga rajoni i Kharkiv në Federatën Ruse.
Më herët, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se më shumë se një milion njerëz ishin evakuuar nga Ukraina në Rusi që nga fillimi i pushtimit.
Ndryshe, Ukraina ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për deportimin e njerëzve kundër vullnetit të tyre dhe përdorimin e tyre si pengje.