Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, ka folur për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, për të cilat tha se normalizimi i tyre nënkupton njohje reciproke.
Ai tha se Gjermania mund vetëm ta ndihmojë dialogun, por për ta bërë këtë u takon palëve në këtë çështje.
“Është çështje e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur zgjidhje. Ne mund vetëm të ofrojmë mbështetje, por nuk mund të detyrojmë askënd për të bërë gjëra që nuk duan. Mund vetëm të themi që rruga për në BE është e hapur, vetëm nëse fqinjët kuptohen me njëri-tjetrin dhe në rastin e Kosovës dhe Serbisë kjo nënkupton normalizim të marrëdhënieve. Për ne, normalizim i marrëdhënieve nënkupton njohje reciproke”, është shprehur Rohde për Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Rusia po përpiqet për të ndikuar në destabilizim ndërsa ata duan t’u përcjellin mesazhin të gjitha vendeve se e ardhmja e tyre është në Evropë.
“Situata aktuale gjeopolitike luan një rol. Rusia po përpiqet për të ndikuar në destabilizim dhe ne duam jo vetëm që të gjitha vendeve t’u zgjojmë ndjenjën, por edhe t’u përcjellim mesazhin se e ardhmja e juaj është në Evropë, ju i takoni Evropës, ne duam të qëndrojmë përkrah, por duam gjithashtu që ju t’i kryeni detyrat e shtëpisë, që ju të flisni me njëri-tjetrin. Nuk është me rëndësi këto të përmenden dallimet, por të përbashkëtat. Të gjitha vendet e këtij rajoni janë pjesë e Evropës dhe ne duam t’i integrojmë ato sa më shpejtë të jetë e mundur në strukturat evropiane, kur bëhet fjalë për Kosovën, fillimisht në Këshillin e Evropës”, ka thënë Rohde.