Nga Daut Dauti
Si duhet të vishen gratë?
T’iu tregosh grave se çka duhet të veshin e çka nuk duhet të veshin, në parim është ide apo veprim i njejtë dhe shkelje e të drejtave të tyre. Nëse gruas i ndalohet veshja e një fustani të hollë apo të shkurtër është njësoj sikur asaj që i ndalohet veshja e një fustani të gjatë dhe vënia e shamisë. Natyrisht, nëse kjo është kundër dëshirës së tyre. Në esencë në të dy rastet kemi përkufizime. Nëse bazohemi në barazi të të drejtave, përkufizimet janë të paparanueshme në të dy rastet.
Në shkollën ku vajza me shami konsiderohet njësoj sikur arma, duhani e droga, tejkalohet shkelja e të drejtës së gruas. Kjo është shovenizëm dhe duhet të konsiderohet si vepër penale. Në këtë shkollë me siguri ka fotografi të Nënës Terezë, të cilën ne kemi dëshirë ta përmendim në çdo moment duke ia valuar edhe fotografinë. Heroina jonë e shek. XXI është me shami. Pse në të njejtën shoqëri dhe në të njejtin vend Nëna Terezë bënë të ketë shami kurse gratë tjera JO? Përgjegjja dihet. Dhe, nuk është vetëm çështje diskriminuese.