Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar edhe një rast të kontrabandave me mallra.
Në njoftimin e Policisë thuhet se gjatë një kontrolli me datën 12.03.2023 rreth orës 20:40 kanë ndaluar një automjet transportues me targa të Serbisë në të cilën ndodheshin i dyshuari A. S. drejtuesi i mjetit mashkull shtetas i Serbisë dhe pasagjeri J. A. shtetas i Serbisë.
Tutje, Policia ka thënë se të njëjtit kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal nga Kosova në drejtim të Serbisë, ku me këtë rast janë gjetur 257 pako me 90 mijë vezë, për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse.
“Gjatë legjitimimit të tyre është vërtetuar se të njëjtit kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal të vendkalimit kufitar nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, ku me këtë rast po ashtu është realizuar një kontroll tek personat e lartcekur dhe në kamionin e tyre janë gjetur rreth 257 pako me rreth 90.000 kokrra vezë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse”, thuhet në njoftim.
“Lidhur me rastin automjeti është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë Jug, ndërsa pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”.