Podcastet, një format medial relativisht i ri që u popullarizua viteve të fundit, janë audio/video publikime të udhëhequra nga një apo më shumë moderatorë, ku, në formë bisedash apo monologësh, tematizohen fusha të ndryshme si politika, shoqëria, arti dhe kultura, sporti, lifestyle etj., e poashtu mund të jenë dhe audio libra të serializuar, audio drama apo podcaste me përmbajtje aplikative, p.sh. produksione të specializuara për të ndihmuar kundër pagjumësisë. Praktikisht, çdo audio/video publikim që ka narracion verbal dhe që është i serializuar, mund të jetë podcast. Në të shumtën e rasteve, podcastet publikohen në platformat respektive Android apo OS, përmes aplikacioneve përkatëse, shpesh vetëm në audio, por ka raste kur shoqërohen me video apo prezantime poëer-point. Shumë njerëz kanë filluar të mbështeten në këtë format për t’u informuar hollësisht mbi çështje të ndryshme. Madje, ekziston një ide se njerëzit po e zëvendësojnë deri në një masë leximin e librave me podcaste.
Meqë, falë çështjeve si ngrohja globale, energjia alternative, inteligjenca artificiale, kompjuterët kuantikë apo avancimet e fundit në kozmologji, një nga temat më popullore globale të dekadës është bërë shkenca dhe teknologjia, edhe numri i podcasteve që i trajtojnë këto fusha është proporcionalisht në rritje. Çdo herë e më shpesh, ekspertë të çështjeve shkencore, profesorë, eksperimentues dhe komentues profesionalë të shkencës, po kthehen nga podcastet si format i përshtatshëm për të komunikuar me një publik masiv rreth çështjesh që, në mediume të tjera, do të trajtoheshin si specifike, ezoterike dhe jo komerciale.
Pothuajse të gjithë njerëzit që kanë interesim për pop-sci (popular science apo, në shqip, shkencë e popullarizuar) e njohin Neil deGrasse Tysonin, i cili, pas sukseseve që kishte me serialet dokumentare televizive mbi kozmologjinë, e filloi një podcast. Por, për dashamirët e këtyre temave që duan të gropojnë më thellë, ja një listë prej 5 podcastesh më cilësore mbi shkencën dhe teknologjinë, që mund t’i keni humbur në fluksin kaotik të përmbajtjes online:
LEX FRIDMAN PODCAST
Lex është një shkencëtar kompjuterik i profilizuar në inteligjencë artificiale dhe ligjërues në MIT (Massachusetts Institute of Technology). I lindur në Rusi me origjinë ukraino-hebraike, u bart në SHBA me familjen e tij në moshë të hershme. Karrierën e nisi në Google, ku punoi në ‘machine learning’ (formë bashkëkohore e inteligjencës artificiale), ndërsa në MIT, përveç ligjërimit, është i angazhuar si hulumtues në fushat e veturave autonome, deep learning dhe robotikës personale. Podcastin e filloi në vitin 2018 dhe, falë talentit të tij si bashkëbisedues, por edhe ekspertizës së tij shkencore dhe pasionit që ka për avancimin e njerëzimit, shumë shpejt u bë një nga podcasterët më të dashur dhe më të njohur në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Me kalimin e kohës, tematikat e Fridmanit janë bërë gjithnjë e më diverse, për ta ushqyer kureshtjen që ka për tema si politika, sociologjia, religjioni, sporti dhe lifestyle, por niveli i diskursit mbetet gjithmonë intelektual, i angazhuar dhe kritik. Në këtë podcast kanë qenë të ftuar Elon Musk, Joe Rogan, Jack Dorsey, Mark Zuckenberg, Garry Kasparov etj. Momentalisht, Fridman gjendet në Ukrainë, vendin e tij të origjinës, ku po interviston njerëz në vatrat e luftës.
INTO THE IMPOSSIBLE
Brian Keating, autori dhe moderatori i këtij podcasti, është kozmologjist amerikan, që udhëheq disa eksperimente të rëndësishme të observimit të sfondit kozmik të mikrovalës, është profesor i fizikës në Universitetin e Kalifornisë dhe është i njohur si komunikues i shkencës dhe autor librash. Në librin e tij ‘Losing the Nobel Prize’ (Ta humbësh çmimin Nobel), ai mori mjaft vëmendje me kritikën që shtroi për çmimin Nobel, duke hedhur vështrime skeptike mbi jotransparencën e procesit të nominimeve dhe mënyrën se si ndahet çmimi në raste kur grupe të mëdha ekspertësh kanë punuar në një projekt të caktuar. Episodet e podcastit të tij janë biseda me nobelistë, shkencëtarë, shkrimtarë dhe individë të tjerë të spikatur si Noam Chomsky, Eric Weinstein apo Lee Cronin. Keating është tematikisht më konservativ – nuk ka tendencë të shpeshtë të dalë jashtë perimetrit të kozmologjisë dhe astronomisë – dhe përmbajtja e bisedave të tij mund të jetë pak më teknike se e disa kolegëve të tij podcatera, por, për këtë, Keating kompenson me sharmin e tij absolut para mikrofonit.
MAKING SENSE
Një podcast jashtëzakonisht i ndjekur nga Sam Harris, filozof dhe autor amerikan. Interesimet e tij janë të shumta dhe variojnë nga religjioni, etika, racionaliteti e meditimi, deri te shkenca neurologjike, inteligjenca artificiale, politika dhe terrorizmi. Harris u bë i njohur për publikun me kritikën e tij ndaj religjionit, në veçanti fesë Islame, dhe njihet si një nga ‘katër kalorësit’ e ateizmit bashkëkohor, bashkë me Richard Daëkins, Christopher Hitchens dhe Daniel Dennet. Bisedat e tij shquhen për këndvështrimin kritik dhe seriozitetin në trajtim të temave, sidomos atyre politike dhe shkencore. Përderisa episodet e fundit të Making Sense, shtyrë nga aktualitetet, kanë qenë të përqendruara kryesisht në tema si demokracia amerikane, sulmi në Capitol Hill, dhuna me armë zjarri dhe lufta në Ukrainë, Harris shumë shpesh tematizon çështje të rëndësishme dhe të vështira shkencore, siç është origjina e vetëdijes te gjallesat, e ardhmja e inteligjencës artificiale nga një këndvështrim i rrezikut ekzistencial për civilizimin njerëzor, apo vaksinimi.
MINDSCAPE
Ky është një favorit në mesin e podcasteve shkencore. Ndoshta nuk e ka audiencën masive sikur Making Sense, por, për ata që i duan shkencat natyrore dhe metodën shkencore, është i pazëvendësueshëm. Autori Sean Carroll është një fizikan kulminant i kohës sonë, që hulumton në fushën e fizikës kuantike, gravitetit dhe kozmologjisë. Profesor në Caltech (California Institute of Technology) dhe Santa Fe Institute, Carroll ka punuar në shumë publikime të rëndësishme shkencore dhe është një nga anëtarët më të respektuar të komunitetit të fizikës në botë. Përveç si ekspert, Carroll njihet edhe si një nga popullarizuesit më të denjë të shkencës, për shkak të aftësive brilante që ka për shpjegimin e dukurive të komplikuara në mënyra të thjeshtësuara, por pa e humbur thelbin. Madje, disa njerëz thonë se edhe ngjyra e zërit dhe regjistri i të folurit të tij është një nga komponentët që i bën dëgjuesit ta ndjekin rregullisht. Edhe pse, në parim, Mindscape është podcast mbi shkencat natyrore (fizikë, kimi, biologji, informatikë, neurologji etj.), Carroll shpesh del nga kjo kornizë, për t’iu përkushtuar temave më shoqërore, kulturore e politike dhe për t’i eksploruar bindjet e tij liberale e demokratike. Intelektual i klasit të parë, Carroll është i interesuar edhe në filozofi, gjë që nuk është e zakonshme për një fizikan, dhe insiston se fizika nuk mund të ketë rezultate të thella pa bashkëpunim me filozofinë, e cila, siç thotë ai, është e ngarkuar me detyrën e shtrimit të pyetjeve të duhura. Madje, kursi i ri universitar që e ka hartuar për ta ligjëruar në Santa Fe Institute, quhet Natural Philosophy (filozofia natyrore), një term krejt i ri akademik i shpikur nga vetë ai. Lista e mysafirëve në podcastin e tij është impresive, me emra si Roger Penrose, Max Tegmark, Nick Bostrom, Leonard Susskind dhe Richard Daëkins, sa për t’i përmendur disa prej tyre.
STARTALK
Neil deGrasse Tyson, astrofizikan dhe drejtor i planetariumit të famshëm të Nju-Jorkut, Hayden, është, bashkë me Michio Kakun, popullarizuesi i shkencës më i njohur dhe më i dashur i kohës sonë. Të gjithë e mbajmë mend për serialet dokumentare televizive siç është Cosmos, por, tani, në epokën e platformave digjitale, e ndjekim përmes podcastit të tij argëtues dhe informativ që gjithmonë e bashkëmoderon me një komedian, të cilin e ndryshon kohë pas kohë. Startalk, në krahasim me disa podcaste të tjera shkencore, është më popullor dhe më i thjeshtë, me një komunikim të drejtpërdrejtë dhe pothuajse aspak teknik. Tyson komunikon mbi tema si veshmbathja e specializuar për ecje në hapësirë, astrobiologjia, origjina e universit, jeta jashtëtokësorëve, multiversi, panspermia, kolonizimi i Marsit, letërsia science fiction, etj. Për ata që sapo kanë filluar të interesohen për universin dhe temat shkencore që lidhen me të, ky është podcasti ideal.