Për punën që bëjnë, stafi me të cilin identifikohet kompania “Pastrimi”, zbrazjen e kontejnerëve të mbeturinave, paguhet 330 euro në muaj.
Shoferët e kamionëve që bartin dhe durojnë erën e bërllokut, i marrin veç 15 më shumë, raporton Klan Kosova.
Homologët e tyre që bëjnë punë me komode te “Trafiku-t Urban” paguhen më shumë, pasi arkëtojnë nga 500 euro për 30 ditë. Kondukteri i ka 450 e mekaniku 430.
Pak a shumë si këta, por goxha më mirë se punëtorët ikonikë të Pastrimit, i kanë punët kontrollerët e terrenit të “Prishtina Parkingut”. Këta i marrin nga 445 euro.
Përafërsisht aq të hyra mujore i kanë edhe punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Paga më e vogël këtu, e higjienistëve, është 415 euro bruto. Më të lartën e ka kryeshefi me hiq më pak se 1 mijë e 842 euro. Këta kanë edhe benefite tjera – u paguhet shujta ditore 5 euro, pushimi vjetor dhe gëzojnë sigurim shëndetësor.
Pastruesit marrin pagën më të ulët edhe te “Stacioni i Autobusëve”, gjithsejtë 427 euro, me plus 5 për qind shtesë sipas përvojës së punës. Edhe këta marrin për shujtë, por vetëm 3 euro.
Biletëshitësit kanë rrogë prej 615 euro, ndërsa kryeshefi shkon deri në 1 mijë e 250 euro.
E më e ulëta pagë në ndërmarrjen tjetër publike të komunës së Prishtinës, “Sport Marketing” është 350 euro, ndërsa më e larta e kryeshefit, 850 euro.
Duke qenë se nuk hipin as në 350, i bie që punëtorët e Pastrimit kanë pagat më të vogla nga kolegët e tyre në ndërmarrjet publike të kryeqytetit. Ata u futën në protestë, të hënën, duke kërkuar një rritje prej të paktën 70 eurove. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber