Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot u takua me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Në këtë takim, Murati e Hykolli folën për gjendjen ekonomike e sociale të të punësuarve, ku fokus të veçantë kishte gjetja e një zgjidhje për kërkesat sindikale.
“U fokusuan në zgjidhjen e kërkesave sindikale përkitazi me përfundimin e hartimit të Projektligjit të Pagave, me Plotësim-Ndryshimin e Ligjit të Skemave Pensionale të Financuara nga Shteti, dhe për nisjen e zbatimit të Ligjit të Sigurimit Shëndetësor, e sidomos u ndalën në gjetjen e rrugës së duhur për plotësimin e kërkesës së subvencionimit të pagës në lartësi prej 100€ për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për kohën deri në miratimin e Ligjit të Pagave”, thuhet në njoftimin e BSPK-së, transmeton Klankosova.tv..
Sipas njoftimit, Hykolli e informoi Muratin që BSPK pret veprime të qeverisë përpara mbledhjes së 10 gushtit, ku kryesia e BSPK-së pritet të marrë vendimet për veprimet e mëtutjeshme sindikale.
Ai i kërkoi Muratit që të miratohet kërkesa për subvencionimin e pagave në shumë prej 100 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e Ligjit të Pagave.