Dy vëllezër, luftëtarë të “Tatamit”.
Lorik e Lorian Musa, me shumë pasion merren me sportin e karatesë.
Të dy premtues në këtë sport luftarak, synojnë majat.
Atyre qysh tani në moshë të re ka nisur të ju dëgjohet zëri.
Me prejardhje nga Kosova, më saktësisht nga qyteti i Mitrovicës, vëllezërit Musa depërtuan shpejt në Zvicër.
Loriku e Loriani për klankosova.tv rrëfyen më shumë për karrierën e tyre.
Ata thanë se si fëmijë ishin me karaktere të ndryshme, i madhi i qetë e i vogli pak më “rebel”.
Loriku: “Si i vogël isha fëmijë shumë i qetë. Mami nuk ishte shumë dakord si duket me këtë pjesë, andaj edhe më regjistroi në karate në moshë të hershme. Dashuria për karatenë erdhi pastaj duke zhvilluar ndeshje e kampionate të ndryshme. Fitoret ishin ato që më nxitnin të vazhdoj tutje e të fitojë një vetëbesim të pathyeshëm”.
Lorian: “Për dallim nga Loriku kam qenë dhe jam fëmijë më dinamik. Mua më regjistruan prindërit që të balancoja sadopak dinamizmin tim. Karate më pëlqen brenda tatami jam “ushtar i terenit tim””.
Depërtimi në klubin e “Valais” s’ishte i vështirë për dy vëllezërit nga Kosova.
Lorik: “E kam filluar karatenë në moshën katër vjeçare. Kam kujtime të këndshme para asaj kohe. Depërtimi në Zvicër nuk ishte i vështirë. I jam falënderues klubit tim “KC Valais” dhe të gjithë atyre që besuan e investuan kohë e energji për ne. Kuptohet dashuria, angazhimi dhe sakrifica e prindërve tanë kanë qenë dhe do mbetet mbështetja dhe motivimi më i vyer për mua”.
Lorian: “Karatenë e fillova në moshën pesë vjeçare. Si fillim pëlqeja të qëndroja në klub, por jo të angazhohesha në eliten e garuesve të klubit. Me urdhër të prerë nga mami që ta provoj tre ditë dhe nëse nuk e pëlqej do merrte parasysh dëshirën time. Shkova ditën e parë që provova dola si fëmijë që e kishte gjetur veten në terenin e tij sot i jam falënderues sepse karate më falë atë që s’do mund ta gjeja diku tjetër. Depërtimi nuk ishte i vështirë kishim përkrahje të gjithanshme ju falënderohem të gjithë atyre që ishin e janë krahu ynë”.
Karateistëve të rinj natyrisht që nuk iu mungojnë sukseset e as medaljet e shumta.
Lorik: “Jam fitues i shumë çmimeve, në veçanti në Kantonin e Valais-it, por titulli më i veçantë deri më tani është vendi i tretë në “Champions Suisse”. Këtë vit e fituam vendin e aprë në grupe ndër klube në Zvicër”.
Lorian: “Medaljet e trofetë që kam fituar janë të shumta. Më gëzojnë sa herë i shoh në dhomën time, por titulli që për momentin e kam afër zemrës është vendi i tretë në “Champions Suisse 2022”.
“Vëllau i Madh” thotë se ka pasur raste që kanë “luftuar” mes tyre, por vetëm gjatë trajnimeve.
Lorik: “Gjatë trajnimeve jemi ndeshur mes vete, por në ndeshje jo. Për fat të mirë jemi dy kategori të ndryshme, e kundërta do të ishte e dhimbshme për ne”.
Ata tregojnë edhe përjetimet kur njëri nga ta ndeshet në gara.
Lorik: “Kur humb njëri nga ne, tjetri ndjehet keq edhe kur fiton për vete. Është e vështirë të ngushëllosh dikë që do”.
Lorian: “Bëj gjyqtarin nga larg vazhdimisht (qeshet). Gëzohem kur vëllau im triumfon. Nga Loriku kam mësuar shumë, ishte udhërrëfyesi im. Në rast të humbjes në duelet e tij ndjej pakënaqësi të madhe sikur të ishte për mua”.
Loriani e Loriku ishin pjesë e Kampionatin Botëror të këtij muaji, në Venecia të Italisë.
Ata thonë se ëndrra e tyre është që në një të ardhme ta përfaqësojnë Kosovën në gara ndërkombëtare.
Lorik: “Ne kemi marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Karates në Venecia të Italisë që është mbajtur me datën 10 dhe 11 dhjetor 2022. Edhe pse s’kemi arritur të renditemi në podium, kemi dalur kokëlartë. Në të gjitha ndeshjet, si në fitore ashtu edhe në humbje. Ëndrra jonë është që ta përfaqësojmë Kosovën në garat ndërkombëtare në një të ardhme. Ende s’kemi ndonjë ftesë nga Kosova. Vendimi është i yni, ndërkaq nxitja për atdhedashurinë e kemi nga prindërit e në ve5anti nga babai”.
Karateistët kosovarë kanë një mesazh për bashkëmoshatarët e tyre.
Lorik: “Mesazhi im për bashkëmoshatarët është që mos t’i braktisin ëndrrat e tyre sepse me punë arrijmë kudo. Keni besim tek vetja e juaj”.
Lorian: “Si më i vogël që jam duhet të them siç thotë vëllau (qesh sërish). Për të arritur deri tek realizimi i pasionit tuaj kërkohet kurajo e mbështetje nga rrethi – punoni që të korrni suksese”, shprehet Loriani mes tjerash.