I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka nisur një seri takimesh me përfaqësues të atyre shteteve anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Lajçak, takoi ministrin e punëve të jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares Bueno, kryediplomatin e shtetit të tij, pra Sllovakisë, Rastislav Kaçer, ministrin e punëve të jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides, si dhe të dërguarën e Greqisë për Ballkanin Perëndimor, Sofia Grammata.
Derisa i ka mbetur ta takojë edhe përfaqësuesin e Rumanisë, për të kompletuar bisedat me pesëshen jo-njohëse të Kosovës, Lajçak nga të gjitha takimet paraprake njoftoi se mori mbështetje të fortë për dialogun Kosovë-Serbi.
Ish-ministrja e jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e sheh si pozitiv, por të vonshëm në aspektin e sigurimit të njohjeve, këtë angazhim të emisarit, Lajçak.
“Këtë gjë është dashur ta bëjë që nga fillet e punës së tij si ndërmjetësues më 2020, kur e kemi kërkuar një gjë të tillë. Në këtë rast njohja nga pesëshja nuk do të vijë ndarë pra secila veç e veç. Ne e kemi humbur një mundësi që ta kemi njohjen nga Greqia kur refuzuam projektin e gazsjellësit. Prandaj duhet të presim pikërisht dialogun që t’i marrim të tëra bashkë”, tha Meliza Haradinaj-Stublla, ish-ministre e punëve të jashtme të Kosovës.
Se a garantohen njohjet në pako të Spanjës, Qipros, Rumanisë, Greqisë e Sllovakisë, mbetet të shihet. Por më 12 dhjetor të vitit të kaluar, të gjitha vendet e BE-së (27) i thanë po unanimisht planit evropian për ujdi bazë Kosovë-Serbi.
Megjithatë, njohja nga pesëshja nuk duhet kushtëzohet me krijimin e Asociacionit një-etnik e me kompetenca ekzekutive për komunat me shumë serbe, sipas ish kryediplomates.
“Këtu besoj që do të vihet në pah zotësia e qeverisë që të mos lejojë të bëhet një ekuivalencë e tillë dhe të shihet njohja si shpërblim për koncesionet që do të bëjë Kosova eventualisht me Asociacionin apo Kishën Ortodokse”, përfundoi Haradinaj-Stublla.
Miroslav Lajçak kryesoi pesëshen e madhe diplomatike euro-amerikane që më 20 janar vizituan Kosovën dhe Serbinë.
klankosova.tv