Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sannes Bjørnstad.
Ata të dy diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë dhe mundësitë për thellimin e tyre me theks të veçantë bashkëpunimin në sektorin e energjisë, thuhet në deklaratën për media të zyrës së Kryeministrit.
Mes tjerash, Kurti falenderoi atë për “mbështetjen e deritanishme të Norvegjisë për Republikën e Kosovës dhe për kontributin e vazhdueshëm për zhvillimin dhe sigurinë e rajonit”.
Në këtë takim gjithashtu u diskutua për çështjet rajonale si dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për intensifikim të tij drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.