Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian për të përfshirë Ukrainën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës.
Kristersson, gjatë një fjalimi në Berlin, tha se lufta në Ukrainë ka qenë një pikë kthese kritike gjeopolitike për BE-në.
“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka sjellë në agjendë edhe zgjerimin e BE-së, edhe pse integrimi i vendeve të tjera në BE do të jetë i vështirë”, tha ai, shkruan Anadolu, transmeton Klankosova.tv.
“Alternativa është t’i jepet liri ndikimit rus dhe kinez. Ky do të ishte rezultati më pak i dëshirueshëm si për BE-në, e që është edhe më e rëndësishme, edhe për të gjitha vendet aspirante në fqinjësinë tonë”, shtoi ai.
Suedia aktualisht mban presidencën e radhës me BE-në, ndërsa Kristersson premtoi mbështetje të fortë për vendet kandidate në përpjekjet e tyre për të zbatuar reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit në BE.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e reformave institucionale brenda BE-së në mënyrë që të mund të integrohen anëtarë të rinj.
“Kur Ukraina dhe vendet e tjera kandidate të jenë gati për t’iu bashkuar BE-së, ne që jemi tashmë pjesë, duhet të jemi të përgatitur për t’i mirëpritur ata”, tha ai.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.