Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski. Gjatë këtij takimi u diskutua hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe përafrimit të qytetarëve të të dy shteteve, përcjell KosovaPost.
“Raportet tona të shkëlqyera ndërshtetore janë inkurajuese në një kohë përcaktuese për kontinentin tonë. Si Kosova, ashtu edhe Maqedonia e Veriut e kanë vendin në Bashkimin Evropian, prandaj presim që vendet anëtare të BE-së ta përkrahin perspektivën dhe vendosmërinë tonë të qartë”, ka theksuar presidentja Osmani në një postim në Facebook, pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut.
Osmani ka qëndruar në Maqedoninë e Veriut ku ka marrë pjesë në Forumin e Prespës për Dialog me ftesë të presidentit të këtij vendi, Pendarovski, ku temë ishte formësimi i të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën bashkëkohore evropiane të sigurisë.