Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, të enjten u mbajt seanca e radhës në rastin e Remzi Shalës.
Ani se u planifikua që të dëgjohen fjalët përfundimtare të palëve, kjo nuk ndodhi. Kjo pasi mbrojtja e pa të domosdoshme të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të ri, raporton Klan Kosova.
Edhe dy dëshmi në favor të tij, normalisht që nuk i kundërshtoi ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po akuzohet se vrau Haxhi Përteshin më 26 qershor 1998.
E Shala po pretendon se në këtë proces do t’i ndihmojë dëshmitari që u paraqit vullnetar, që thotë se është nipi i viktimës, raporton Klan Kosova.
Kjo u mohua nga avokati i të ndjerit, ashtu si edhe dëgjimi i dëshmitarëve shtesë.
Megjithatë, ky kundërshtim nuk u mor parasysh dhe trupi gjykues vendosi që në një seancë tjetër, që do të mbahet më 20 prill, të vijnë në Gjykatë dëshmitarët e rinj.
Remzi Shala më 2019 ishte dënuar me 14 vjet burg si fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës. Këtë dënim Gjykata e Apelit e uli në 10 vjet e Supremja me 2020 vendosi ta kthejë lëndën krejt në rigjykim. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber