Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se takimi i presidentes Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti në Uashington me sekretarin amerikan të shtetit Anthony Blinken është lajm i rëndësishëm për republikën.
“ Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë garant i pavarësisë së Kosovës dhe ky takim nuk është “thyerje akulli”,tha Gërvalla-Schwarz, të martën.
Por Kosova s’ i ka punët mirë me sigurimin e njohjeve të reja të shtetësisë. E fundit njohje erdhi më 1 shkurt 2021, nga Izraeli.
Gërvalla-Schwarz, pranon mungesën e njohjeve dhe tregoi se a janë ato më të rëndësishmet në politikën e jashtme.
Ajo shpreh bindjen se në vjeshtë konkretizohet edhe më shanset e Kosovës që të hyj në Këshillin e Evropës. Kurse, deri në fundvit sipas saj dorëzohet aplikimi për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Në fakt ministria që udhëheq Gërvalla-Schwarz, nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, u dënua me 13 mijë euro pasi nuk ofroi qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime të diplomatit Prindon Sadriu, që është bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani.
Ministrja në mënyrën e saj sqaroi s ituatën.
“Sa i përket 13 mijë eurove. Gjoba e cila është shqiptuar,mund t’ju them vetëm atë çështjen ashtu siç është. Ne kemi pas një kërkesë për shpenzime individuale të një diplomati të caktuar. MPJ në sistemin e saj, shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk i ka të ndara individualisht. Nuk e kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht dhe prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme, që të ndajmë shpenzimet veç e veç”, shtoi krye-diplomatja kosovare e cila premtoi reforma të thella në MPJ.
Në paraqitjen e së martës që Gërvalla-Schwarz e kishte bashkë me zëvendësen e saj, Liza Gashi, u prezantuan dy projekte të MPJ-së për diasporën, të cilat u konsideruan “fort të rëndësishme”.