Në kuvendin e Kosovës po mbahet seanca ku po diskutohet lidhur me projektligjin për Trustin, i cili parasheh që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e një pjesë të parave të tyre të kursyera aty.
Iniciuesi dhe propozuesi, Bekim Haxhiu nga PDK-ja, para deputetëve tha se ata janë përfaqësues të qytetarëve dhe se si të tillë duhet të votojnë për kërkesat e tyre.
“Ky projektligj është i qytetarëve, nuk është personal. U bë për të përballuar rritjen e çmimeve, inflacionin dhe krizën ekonomike. Do të ketë impakt pozitiv në buxhetin Kosovës dhe ekonominë e saj”deklaroi ai.
Me thirrje të njëjtë ndaj deputetëve u drejtuan edhe opizitarët tjerë:
Memli Krasniqi: Ju ftoj të jeni deputetë të qytetarëve. Kryeministri ju ka vendosur në listë, por qytetarët ju kanë bërë deputetë. Guxoni sot!
Pal Lekaj: Ambasadat janë në hall nga numri i lartë dhe turmat e Kosovarëve për të dalë jashtë Kosovës. Trusti është nevojë dhe jo luks. Kthejeni shpresën dhe rriteni mirëqenien e qytetarëve. Pra thjesht e shqip votojeni Trustin.
Ndërkaq, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se grupi parlamentar i LVV-së nuk e mbështetë propozimin e opozitës, dhe se qëndron në shërbim të qytetarëve për gjetjen e zgjidhjes që mundëson lehtësira.