Ka nisur samiti i “Open Ballkan” që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë samit shtete pjesëmarrëse janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq si vëzhgues po marrin pjesë edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi.
Gjatë samitit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje kryesisht me karakter ekonomik.
E në mesin e marrëveshjeve do të jetë edhe nostrifikimi i diplomave universitare mes këtyre shteteve.
Kështu tha në një intervistë në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Arben Ratkoceri, drejtor i gazetës Koha në Maqedoninë e Veriut.
“Ajo se çka më bëri përshtypje, si ndoshta më e rëndësishmja që prekë qytetarët e Luginës së Preshevës, është ajo për nostrifikimin e diplomave universitare mes këtyre shteteve” – tha Ratkoceri.
“Janë paraparë dy apo tre memorandume mes këtyre tre shteteve, do të thotë Maqedonisë veriore, Shqipërisë dhe Serbisë, jo Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës të cilat janë si vëzhgues. Priten disa memorandume në rrafshin ekonomik dhe kulturor” – theksoi ai.