Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, shpjegoi situatën në raport me BE-në, pas vendimit të Qeverisë, për vendosjen e masës së reciprocitetit.
Bislimi deklaroi se në momentin kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin, BE-ja ka qenë në rregull me ketë veprim.
“E vetmja brengë që ka ekzistuar është se në ç’masë Ministria e Punëve të Brendshme, disponon me kapacitete të mjaftueshme që të akomodojnë 9 mijë kërkesa eventuale për regjistrim të veturave brenda një periudhe dy mujore”, thotë Bislimi, sipas të cilit, këtë brengë, qeveria e ka shmangur duke treguar se në rast se procesi nuk mund të përfundojë me 30 shtator, për shkak të mungesës se kapaciteteve të autoriteteve shtetërore, atëherë me shumë dëshirë do të zgjatet afati në mënyrë që assesi, problem të mos jenë kapacitetet e shtetërore.
Zv/kryeministri Bislimi tutje tha se Qeveria ka pasur argumentimin ndërkombëtar se masa është legjitime, është në pajtim me marrëveshjet e dialogut dhe që nuk ka asnjë brengë.
“Por fatkeqësisht me 31 korrik, ne na ka ardhur një kërkesë nga Brukseli, përkatësisht nga zoti Borrell që masa të shtyhet”, thotë Bislimi.
“Personalisht mendoj që nuk ka qenë kërkesë qellim mirë dhe nuk ka qenë mjaftueshëm e argumentuar”.
Sipas Bislimit, argumentimi i kërkesës nga Borrell ka qenë se do të ketë tensione dhe që ka shumë dezinformata në veri, prandaj ka nevojë edhe për një fushatë pak më të gjatë të argumentimit.
“Edhe pse aty shprehet ndoshta frikë, sepse shtyrja jo domosdoshmërish do të ndihmojë në shmangien e këtij argumenti të mos informimit. Kjo nënkupton që Brukseli e ka të ditur se tensioni nuk është i krijuar në vend nga ana e qytetarëve, por është i importuar nga qendra e Serbisë, që nënkupton se ne fakt, shtyrja prej 30 ditësh të përdoret më shumë që politikisht t’i bëhet më shumë presion Vuçiqit, që të mos bëjë organizime apo inskenime të skenarëve të tillë”, tha Bislimi në RTK.