Sot pritet që të nënshkruhet ujdia 202 milionëshe mes Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit, për fushën e energjisë.
Kësaj shume, Qeveria e Kosovës do t’ia shtojë edhe rreth 33 milionë euro, për t’i implementuar dy projektet e Programit Kompakt të MCC-së, kurse 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, mbrëmë në një takim në Departamentin e Shtetit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti, tha se për këtë marrëveshje kanë bashkëpunuar shumë.
“Nesër do të nënshkruani kontratën me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit për energji, kemi bashkëpunuar në të gjitha këto çështje, kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale, por kryesisht është kënaqësi dhe nder të ju mirëpresim në Departamentin e Shtetit, faleminderit që keni ardhur”, deklaroi Blinken mbrëmë.
Presidentja Osmani e quajti të shkëlqyer takimin me Blinkenin, teksa theksoi se u konfirmuar sërish se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh se Amerika, njofton Klankosova.tv.
“Pa përkrahjen e ShBA nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm yni. Kemi folur me Blinken për subjektivitetin ndërkombëtar dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve dhe organizatave ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.
“Kemi diskutuar edhe për rolin konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi. SHBA si partner që mbështesin pavarësinë, kushtetutshmërinë, gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim. Si Biden edhe Blinken e kanë thënë qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke”, deklaroi Osmani pas takimit.
Tutje, Osmani theksoi se me SHBA-në do ta intensifikojnë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik.
“Raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ekzistenciale! Nder i veçantë takimi me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, me të cilin rikonfirmuam partneritetin tonë të palëkundur, si dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në sektorë të rëndësishëm e strategjik”, është shprehur Osmani.
“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta intensifikojmë angazhimin e përbashkët diplomatik, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik. Së bashku qëndrojmë krah për krah në adresimin e sfidave të përbashkëta ndaj paqes, sigurisë, si dhe në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike”, shtoi ajo.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, pas takimit tha se me Blinken kanw folur edhe pwr dialogun Prishtinw-Beograd, ku theksoi se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke.
“Me Sekretarin Blinken diskutuam për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës. Theksuam raportet tona bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre sidomos në rrafshin ekonomik me më shumë investime dhe në atë tregtar me më shumë shkëmbime. Po ashtu diskutuam për demokratizimin e rajonit dhe fuqizimin e aleancave vlerore e politike për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet nga të cilat kanoset Ballkani Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse e të sigurisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit”, shtoi ai.
“Në takim konfirmuam që Republika e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se deri më tani jemi angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut”.
“Marrëdhëniet ndërmjet vendeve dhe popujve tanë janë të fuqishme aktualisht dhe të thella historikisht. Qëndrojmë krah për krah njëra tjetrës se jemi miq, partnerë dhe aleatë”, tha Kurti.
ShBA-ja e ka përsëritur qëndrimin e saj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes.
“Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, është takuar sot me presidenten kosovare Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti në Washington DC. Sekretari Blinken e ka theksuar partneritetin e qëndrueshëm mes ShBA-së dhe Kosovës, dhe ka falënderuar liderët për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe pritjen bujare të afganëve”.
“Ata diskutuan rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë zëdhënësi i DASh-it, Ned Price.
Edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeff Hovenier, ka folur për takimin mes sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me delegacionin e Kosovës në Washington.
Hovenier tha përmes një postimi në Twitter se kjo vizitë është një tjetër reflektim i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Dje, sekretari Blinken u takua me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeminsitrin Albin Kurti, për të diskutuar fushat kryesore të bashkëpunimit tonë të ngushtë”, tha Hovenier.
Çka përmban marrëveshja me MCC-në?
Projekti i parë, më i rëndësishmi, do ta mundësojë akumulimin e rrymës që prodhohet natën, për t’u shfrytëzuar ditën, kur kërkesa është më e madhe.
Bateritë që pritet të jenë më të fortat në Evropë parashihet të kenë fuqi akumuluese rreth 340 megavatë në orë. Kjo do ta zvogëlonte nevojën për import energjetik.
Projekti i dytë mëton aftësimin profesional të punëtorëve të sektorit të energjisë, si dhe punësimin e sa më shumë grave në këtë fushë.
Po ashtu, pritet investim edhe në ruajtjen e energjisë te ndërtesat dhe shtëpitë e banimit.
Pas nënshkrimit në Uashington, marrëveshja Qeveri-MCC duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për ratifikim. Për të nevojiten dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, teksa implementimi praktik pritet të fillojë kah viti 2024.
Programi do të përfshijë tri projekte:
1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),
2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim