Pushteti serb prapa forcave të fshehura terroriste e proruse në bllokadën kufitare me Kosovën

Një grup nacionalistësh serbë ka marrë lejen e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për të bllokuar pikat kufitare të Serbisë me Kosovën, duke filluar prej sot në ora 18:00.

“The Geopost” ka arritur të marrë vesh se, organizatori kryesor i kësaj nisme, Radomir Rojevic, është i afërt me pushtetin në Serbi – nënkryetarin e Qeverisë, Aleksandar Vulinin dhe se subjekti politik të të cilit i takon është në koalicion me partinë e Aleksandar Vuçiqit.

Për t’i përkrahur, në terren do ta kenë asistencën edhe të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, e cila udhëhiqet nga Milan Radoicic.

Përveç pikave kufitare Kosovë-Serbi, siç janë ajo e Merdarit, Jarinjës dhe Bërnjakut, në kësi aktivitetit do të përfshihen edhe forca të errëta serbe proruse nga Mali i Zi, të cilët do të pozicionohen në pikën e njohur si Kulla, mirëpo edhe në pikën kufitare të Malit të Zi me Shqipërinë, e njohur si Hani i Hotit.

Nuk dihet ende nëse takimi i ish-shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin-it me Putin-in ka lidhje edhe me këtë bllokadë, e cila mund të nxisë tensione të reja në Ballkanin Perëndimor, por është e saktë se Radomir Rojevic, i cili ka vizituar Moskën në nëntorin e vitit 2023 dhe është mik me Vulinin, është organizatori kryesor i kësaj bllokade.

Radomir Rojevic

Sipas asaj që kanë thënë organizatorët, bllokadat në pikat administrative Merdar, Jarinjë dhe Bërnjak nuk do të hiqen gjersa të tërhiqen organet e rendit të Republikës së Kosovës nga komunat veriore.

Sipas një dokumenti të Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Radomir Rojevic ka qenë përfaqësues i së majtës jugosllave në Kosovë, e njohur si JUL – parti kjo e themeluar nga bashkëshortja e Slobodan Milosevic-it, Mira Markovic, e cila ka vdekur në Moskë më 2019. JUL më pas u drejtuar nga nënkryetari i tashëm i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin.

Faksimili i OSBE, ku Rojevic ishte i regjistruar si pëëfaqësues i JUL në Kosovë

Rojevic dhe Vulin ishin miq të afërt edhe në kohën Vulin ishte drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë e Metohi” në Qeverinë e Serbisë. Gjatë kësaj kohe, Rojevic ka qenë i punësuar në këtë “Zyrë”.

Ambiciet politike të Rojeviqit nuk u zbehën pas karrierës së tij me të JUL-in. Ai sot është kryetar i këshillit drejtues të një organizate të njohur si “Lëvizja e Qarkut Kosovë-Mitrovicë”. Kjo lëvizje, së cilës i mungon transparenca në operacionet e saj, është një forcë shtytëse pas bllokadave të planifikuara kufitare.

Në anën tjetër, vet Rojevic mban lidhje konkrete me Rusinë. Në nëntor 2023, ai u shfaq si panelist në një prezantim të librit në Moskë në librarinë e lidhur me shtetin “M.I. Rudomino”. Autorja e librit, Danica Marinkoviq, është një gjyqtare kontroverse e njohur për punën e saj gjatë luftës së Kosovës, një kohë kur Rusia mbështeti me vendosmëri politikat agresive të Serbisë në Ballkan. Gjatë diskutimeve në Moskë, Rojevic e kishte quajtur udhëheqësin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, “profiter lufte”.

Rojevic në Moskë, 2023

Plani i bllokimit të kufirit nuk duket një protestë e izoluar. Ajo është pjesë e një strategjie më të gjerë politike me implikime rajonale me aksione të mirëplanifikuara. Bllokada e planifikuar synon pikat kyçe kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Rojeviq ishte përfshirë më parë me “Bolja Srbija” (Serbia më e mirë), një shoqatë që ndan emrin e saj me një parti politike konservatore. Në prill të vitit 2023, “Bolja Srbija” u bashkua zyrtarisht me Partinë Progresive Serbe (SNS) në pushtet të Aleksandar Vucic-it, duke konsoliduar më tej ndikimin e Rojevic-it brenda niveleve më të larta të politikës serbe. Lidhjet e tij me Vucic-in, të kombinuara me lidhjen e tij me Moskën, paraqesin një tablo të një njeriu që vepron në kryqëzimin e nacionalizmit serb dhe interesave gjeopolitike ruse.

Organizatorët e tjerë – lidhjet me forcat proruse serbe në Mal të Zi

Nedeljko Grandov nga Nikshiqi do të jetë organizatori i bllokimit të pikës kufitare në Kullë, me Malin e Zi. Ai është i njohur për lidhjet e ngushta me Federatën e Rusisë – Qendrën Ruse “Majak”. Në përkrahje të tij do të jenë edhe Nenad Korac, Bogdan Femic e Mirko Gojacanin.

Nedeljko Grandov

Ka një përpjekje që, përveç pikave kufitare me Serbinë dhe Kosovën, edhe pika kuiftare e Republikës së Shqipërisë me Malin e Zi, e njohur si “Hani i Hotit”, do të bllokohet me synimet e njëjta. Organizator për bllokimin e saj është Milinko Sekulovic – Misho nga fshati Seljani, komuna Pluzhine e Malit ët Zi. Ai jeton në në Nikshiq, ndërsa ka paralajmëruar se, një grup qytetarësh të udhëhequr nga veteranë ushtarakë të luftërave të viteve 1991-2001, dhe pjesëtarë të Batalionit të 7-të të Policisë Ushtarake do të organizojnë bllokimin e pikës kufitare.

Milinko Sekulovic

Milinko Sekulovic ishte pjesëmarrës i protestës afër pikës kufitare Jarinjë më datë 18.12.2022, ku si qëllim kishte qenë djegia e pikës kufitare. Sekulovic ka qenë pjesë e organizimit të protestave që quan në rrëzimin e pushtetit demokratik të Milo Djukanovic-it – të njohura si “Litije”.

Gjithashtu, Sekulovic i takon së djathtës ekstreme serbe, me lidhje të afërta me Rusinë.

Paralajmërim i përshkallëzimit

Bllokada e planifikuar, e kryesuar nga Radomir Rojevic, është një përpjekje e qartë për të nxitur tensionet midis Serbisë dhe Kosovës. Me lidhjet e tij të thella me elitën politike të Serbisë, lidhjet e tij me Moskën dhe rolin e tij në lëvizjet nacionaliste, Rojevic përfaqëson një figurë të rrezikshme që punon në prapaskenë për të destabilizuar rajonin.

Ky hetim zbulon një agjendë më të gjerë të Serbisë, duke punuar së bashku me Rusinë, për të ushtruar ndikim në Ballkan, me pasoja potencialisht të rrezikshme. Ndërsa këto plane shpalosen, është thelbësore si për komunitetin ndërkombëtar ashtu edhe për aktorët rajonalë që të ndërmarrin veprime dhe të parandalojnë një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve në Ballkan.

Ditët në vijim do të jenë një test kritik për rajonin. A do të jetë kjo një tjetër pikë zjarri në një histori të gjatë konflikti, apo këto përpjekje destabilizuese do të pengohen përpara se të dalin jashtë kontrollit?

Të tjera