Konjufca: S’ka Asociacion pa njohje nga Serbia

konjufca

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se nëse koncepti i vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe nuk ndërtohet në një marrëveshje siç ishte ajo e Ohrit, atëherë Kosova s’ka asnjë obligim që të bëjë hapa në drejtim të Asociacionit.

Kjo, sipas Konjufcës, pasi nëse hiqet njohja e Kosovës nga ekuacioni i relacionit me Serbinë dhe mbetet vetëm Asociacionin, atëherë ky do të jetë një mekanizëm i manipulueshëm nga ana e Serbisë.

“Ne e dimë që ky asociacion do të përbëhej prej përfaqësuesve serbë, të cilët do të mund t’i kontrollonte ndonjë parti politike drejtpërdrejt nga ana e Vuçiçit dhe ata do ta ndërtonin asamblenë e këtij Asociacioni”, tha Konjufca për “Zërin e Amerikës”, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Konjufca tha se Perëndimi nuk është serioz nga kuptimi se si ia kërkon njohjen Serbisë për Kosovën.

“Deri tani, nuk më duket që Serbia ka ndjerë ndonjë presion serioz sa i përket njohjes së Kosovë. Unë mendoj se më shumë presion është bërë mbi Kosovën për asociacionin se sa mbi Serbinë për njohjen e Kosovës, nëse i krahasoni se për cilën çështje është bërë më shumë trysni”, tha ai.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.