Për të përfituar shpërblimin jubilar dhe kompensimet e ushqimit, në vitin 2020, mësimdhënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë, angazhuan avokatin e përbashkët Labinot Buzuku për të parashtruar padi në Gjykatën Themelore ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Tri vite prapa, vetëm pesë nga mësimdhënësit e kësaj shkolle kanë mbetur pa i marrë këto shtesa e shpërblime.
Në një intervistë për Kiks Kosovën, avokati Labinot Buzuku tregon se dy vite më vonë, lëndën e drejtuar në Gjykatën Themelore u detyruan që ta dërgojnë në fazën përmbarimore meqë Komuna nuk pranoi që vullnetarisht të paguaj këto shtesa.
Me 26 qershor të këtij viti, Gjykata dërgoi lëndën në ekspertizë financiare dhe sipas avokatit, po e presin urdhërin që këto shtesa të kërkohen nga thesari i Komunës.
Mësimdhënësja Vlora Baruti kishte akuzuar avokatin Labinot Buzuku se nuk e kishte trajtuar lëndën me seriozitetin e duhur andaj edhe ka mbetur rasti i saj ende i pazgjidhur.
Buzuku në Kiks nuk është pajtuar me pretendimet e mësimdhënëses Baruti. Madje, ai thotë se lënda ka ecur më shpejt se zakonisht.
Qindra lëndë të tilla përfundojnë te përmbaruesi për shkak të mungesës së linjës së vecantë buxhetore për t’i mbuluar përfitimet e mësimdhënësve sipas Kontratës Kolektive.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.