Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në bashkëpunim me UNICEF-in në Kosovë kanë organizuar ceremoninë e prezantimit të Ligjit të sapomiratuar për edukimin në fëmijërinë e hershme, transmeton Kosova Post.
Në këtë prezantim, ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci tha se ky ligj e shtron bazën e rritjes dhe zhvillimit të më të vegjëlve, që janë e ardhmja e vendit. Ajo tha se finalizimi i procesit të këtij ligji është përmbushje e një zotimi nga ana e Qeverisë së Kosovës. Nagavci theksoi se Ligji e bën të obligueshëm edukimin parafillor nga viti i ardhshëm shkollor i vitit 2024.
“Edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm nga viti ardhshëm shkollor. Ligji mbështet edhe edukimin në familje dhe ofron për familjet ndihmë, kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, se rritë në mënyrë të gjithanshme cilësinë e kujdesit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme, shtohet bashkëpunimi në të gjitha institucionet dhe natyrisht edhe përgjegjësia për gjithë të rriturit që do të punojnë me fëmijë, përfshirë edhe dënimin specifikisht të çdo forme të dhunës, e cila jo që nuk është e ndaluar edhe me ligje tjera, por, specifikohet qartësisht edhe në këtë ligj”, tha Nagavci.
Ministrja Nagavci falënderoi UNICEF-in dhe partnerët tjerë të cilët tha se kanë dhënë kontribut që nga aspekti konceptual e përmbajtësor ashtu edhe në aspektin logjistik.
Shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman tha se janë tashmë të njohura efektet e edukimit të hershëm tek fëmijët të cilat kanë impakt të rëndësishëm. “Vetëm 38 për qind nga 3 deri në 5 vjeçarët në Kosovë sot kanë qasje në ndonjë strukturë të mësimit krahasuar me 80 për qind në Shqipëri apo 53 për qind në Mal të Zi. Dhe, prapë jemi larg nga targeti evropian me 96 për qind”, tha Zicherman.
Ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme u miratua në Kuvendin e Kosovës gjatë korrikut të vitit 2023. Miratimi i këtij ligji u konsiderua se do të rregullojë ofrimin e edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit të edukimit për të vegjlit nga mosha 0 deri në 6 vjeç./aa