Imeri: Më shumë se inspektorët, na duhen punonjës shëndetësorë (VIDEO)

imeri

Fakti se shpallja e konkursit për 25 inspektorët shëndetësorë u bë në kundërshtim me dy ligjet bazike për funksionimin e këtij organizmi, atij të Shëndetësisë dhe Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, nuk i duket problematik Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës.

Tevide Imeri, e cila mori drejtimin e kësaj federate në majin e vitit të kaluar, ka theksuar se ky konkurs nuk mund të cilësohet si shkelje e ligjeve që lidhen me funksionimin e inspektoratit shëndetësor.

Krysindikalistja e mjekëve thotë se e gjitha që mund të bëhej paraprakisht para hapjes së konkursit është të bëheshin ndryshime në pjesën ligjore, raporton Kiks Kosova.

Arsyetimin e saj, Imeri e mbështet në atë që, sipas saj, puna e inspektorëve shëndetësorë nuk është kontrollimi i doktorëve në mënyrën se si ata e bëjnë punën e tyre, por në parregullsitë tjera që ata veç i kanë parasysh.

Sipas Imerit, në shëndetësi nuk kanë nevojë më për inspektorë, por për punëtorë tjerë shëndetësorë.

Kiks Kosova ka kërkuar sqarim për konkursin që kërkon inspektorë me bachelor për të inspektuar mjekët dhe spitalet e Kosovës, por ata kanë referuar që përgjigjet të kërkohen në Ministrinë e Shëndetësisë, si menaxhere e këtij organizmi.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se nuk kanë informata për konkursin, përveç faktit se ata kanë hartuar një kërkesë me nevojën për të pasur inspektorë të rinj në kuadër të Inspektoratit Shëndetësor.

Përveç kërkesës për inicim të procedurave, ku divizioni i Burimeve Njerëzore i MSH-së ka hartuar draft shkresën me kërkesë të sekretarit për ministrin, nuk kemi informata tjera lidhur me këtë konkurs.

Konkursi, sipas kësaj ministrie, është përgatitur dhe publikuar nga departamenti për menaxhimin e zyrtarëve publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në adresën e të cilëve KiKS Kosova i ka dërguar disa pyetje, por deri në publikimin e kësaj kronike ende nuk kemi marrë përgjigje.

E njëjta mospërputhje ndërmjet ligjeve dhe konkurseve është hasur edhe në konkursin e muajit maj për inspektorat arsimor, për të cilën KiKS Kosova ka raportuar më 12 korrik të këtij viti.

Edhe në ligjin për inspektorët e arsimit, thuhet se një inspektor duhet të ketë të paktën gradën master, përvoja e punës së tij të jetë më së paku 5-vjeçare, duke specifikuar fushën e arsimit, madje për inspektorët që duhet të vlerësojnë performancën e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve duhet të kenë së paku dhjetë (10) vjet përvojë pune në arsim.

KIKS Kosova është interesuar rreth këtij konkursi, duke dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila menaxhon me DMZP-në pikërisht për kriteret e vendosura në këtë konkurs.

E në përgjigjen që Kiksi kishte marrë atëkohë nga MPB-ja thuhet se ata ishin bazuar në Ligjin për Shërbyesit Publikë, duke anashkaluar kështu Ligjin për Inspektoratin Arsimor.

Madje ata ishin arsyetuar se ishin bazuar vetëm në këtë ligj pas një vendimi të Këshillit Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë, i cili kishte precizuar se nëpunësit civilë nuk mund të nxirren nga një akt tjetër i legjislacionit sektorial, por vetëm nga Ligji Nr.06/L–114 për Zyrtarët Publikë, respektivisht Rregullorja Nr. 10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.