Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, gjatë ditës së sotme lëshoi një deklaratë ku etiketonte gazetarët e Kosovës si bashkëpunëtorë të Serbisë.
“Biseda të zhvilluara në Kuvend, të cilat Lista Serbe i kishte incizuar dhe incizimet ia kishte dorëzuar Vuçiqit, nga dora e Vuçiqit gjetën rrugën e tyre për t’u publikuar në një media në Kosovë. Dhe tani si rezultat i keqinterpretimeve të qëllimta e patëm një skenë dhune të provokuar në parlamentin e Kosovës, dhe si të mos mjaftonin ato skena që portretizuan Kosovën si vend jostabil në të gjitha mediat ndërkombëtare, sot ka edhe një protestë të thirrur para qeverisë. Është e çuditshme se si qëlloi që protesta të jetë e organizuar të shtunën, kohën e njejtë me protestën në Beograd që atje po organizohet kundër Vuçiqit. Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dinë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, shkroi ndër të tjera ministri i Brendshëm në Facebook.
Ndaj kësaj deklarate reagoi edhe AGK-ja, e cila tha se “gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”.
Ndërkaq, reagim pati edhe nga ish-drejtori i përgjithshëm i Klan Kosovës, gazetari Adriatik Kelmendi, i cili tha se ministri Sveçla, në vend që të mbrojte të gjithë qytetarët e Kosovës, obligim që i takon sipas Kushtetutës së Kosovës, ai “etiketon si bashkëpunëtorë të Serbisë dy ndër gazetarët më të njohur në Kosovë”.
Sipas Kelmendit, Zveçla, i cili është rritur me protesta, “bën propagandë kundër një proteste. Dhe atë protestës së thirrur nga çlirimtarët e vendit”.
Gazetari Kelmendi tha se kjo gjuhë mund të ndodhë vetëm në një vend jo-demokratik.
“Ta mendojmë se në cilat vende të botës do të mund të shihnim një gjuhë të këtillë ndaj gazetarëve që guxojnë dhe qytetarëve që protestojnë? Jo në demokracitë që synojmë! E tmerrshme në çfarë theqafje po rrëshqasim si shoqëri! Çka nëse nesër dikush i sulmon fizikisht Vehbiun dhe Beratin për shkak se ministri – jo secili ministër, por ministri i Brendshëm – në vend se t’ua garantojë të drejtat kushtetuese të lirisë së fjalës dhe protestës, i ka shpallur armiq?! E rrezikshme, e papranueshme”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.
Kujtojmë se sot me fillim nga ora 18:00 do të zhvillohet një protestë kundër Qeverisë së Kosovës, e thirrur nga shoqëria civile. Protesta është përkrahur edhe nga veteranët e luftës dhe nga parti opozitare politike. /Klankosova.tv
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber