Flutura Kusari: Statusi i Sveçlës, sulm serioz ndaj gazetarëve

Flutura Kusari

Deklarata e sotme e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ndërlidhi protestën e sotme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me luftën hibride nga Serbia, ka nxitur reagime të ashpra në opinion.

Këto deklarata të tij janë vlerësuar si skandaloze dhe të turpshme nga krerët e partive politike opozitare.

Pak orë para se të nisë protesta për veteranët e UÇK-së, ministri Sveçla hodhi akuza të rënda drejt organizimit të saj. Sveçla ka thënë se meqë presidenti serb Aleksandar Vuçiq po e humb betejën në terren me kryeministrin Albin Kurti, tani, sipas ministrit të Brendshëm, Vuçiqi është fokusuar në luftën hibride për nxitje të trazirave brenda Kosovës. Si nxitje të trazirës, e konsideroi protestën e sotme të veteranëve.

Ai madje tha se audio-incizimet e publikuara nga “Nacionale” mes Mimoza Kusari-Lilës, shefe e GP të LVV-së dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq, kanë mbërritur në Kosovë nga dira e Vuçiqit.

E Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, ka thënë se ndërlidhja e punës së gazetarëve të Kosovës me Serbinë dhe Vuçiqin është e rrezikshme “dhe çon në dhunë online dhe potencialisht edhe në dhunë fizike”.

“Statusi i Ministrit Sveçla është sulm serioz ndaj gazetarëve dhe nxitje e masave për t’i kundërshtuar ata. Dihet që masat nganjëherë nuk zgjedhin metoda. Ministri Sveçla, Lëvizja Vetëvendosje dhe zyrtarët dhe mbështetësit e tyre duhet ta kuptojnë që duke i sulmuar mediat dhe gazetarët nuk mund t’i frikësojnë dhe nuk do t’i frikësojnë apo heshtin ato”.

“Për aq kohë sa kjo qasje nuk ndryshon, gazetarët mbesin jashtëzakonisht të kërcënuar dhe duhet të frikësohen për sigurinë e tyre ndonëse nuk është në natyrën e tyre të frikësohen”, potencoi Kusari. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS