Profil: Kush është Faruk Mujka?

Faruk Mujka

Pas një aksioni të policisë këtë të premte është arrestuar Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”.

Ai sipas prokurorisë dyshohet që bashkë me Hysen Muzliukajn kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, për çfarë janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Mujka përveç pozitës që ushtron tani, në të kaluarën ka mbajtur mbi supet e tij edhe pozita të tjera publike.

Kush është Faruk Mujka?

Faruk Mujka ka lindur më 08.12.1967 në qytetin e Mitrovicës ku dhe ka kryer shkollimin. Studimet universitare i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës ku ka studiuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Pra me profesion është inxhinier i ndërtimit.

Në jetën politike në vend është kyçur më 2007 më rastin e themelimit të Partisë Ekologjike të Kosovës. Së pari ka qenë kryetar i degës në Mitrovicë, e më pastaj nënkryetar i partisë në nivelin qendror.

Më 2010, është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Nga viti 2013 deri më 2016 ka qenë asamblist i këtij subjekti politik në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut. Më 2016 është emëruar nënkryetar i kësaj komune, me vendim të kryetarit të atëhershëm, Agim Bahtiri.

Ai ka qenë kryetar i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Jugut si dhe zëvendëskryesues i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhjet e vitit 2019 ka qenë kandidat për deputet për Kuvendin e Kosovës ku nuk ka mundur ta sigurojë ulësen.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2021 partia e ka nominuar në listën e kandidatëve për deputetë, por që Mujka kishte marrë vendim që të tërhiqej nga gara.

Në të njëjtin vit, në zgjedhjet lokale, të mbajtura më 17 tetor, kandidati i VV-së, Agim Bahtiri I kishte humbur zgjedhjet. Kjo kishte qenë arsyeja që ai kishte dhënë dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit të degës.

Më 6 dhjetor 2022 ai është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS