Pas vizitës në Francë, Memli Krasniqi kritikon qasjen e qeverisë me aleatët

Pas vizitës në Francë, Memli Krasniqi kritikon qasjen e qeverisë me aleatët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të enjten ka qëndruar në Francë, ku ka zhvilluar disa takime të rëndësishme zyrtare në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ai e ka cilësuar si të papranueshme qasjen e Qeverisë Kurti në raport me aleatët e Kosovës, raporton Klan Kosova.

“Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutoj me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

“Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtet-ndërtimit”, ka shtuar ai.

Në këto takime, ai ka shprehur bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve duhet të thellohet.

“Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku u takova me z. Adrien Frier, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to”, shton i pari i PDK-së.

“Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë”, thotë ai më tej.

Në fund ai vlerëson se Kosova ka nevojë për një qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila sipas tij, kthen në binarë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik dhe kursit pro-perëndimor.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

klankosova.tv