Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, thotë se Paolo Maldini nuk është më i nevojshëm për kuqezinjtë, se ai nuk dinte të punonte në ekip dhe se u shkarkua për këtë arsye.
Ai akuzoi Maldinin se nuk dinte të punonte në ekip, pra se nuk ndihej mirë në një organizim të tillë dhe se kjo ishte arsyeja e ndarjes së tyre.
“Të gjithë kemi pasur fjalë lavdëruese për Paolo Maldinin, i cili është një zotëri i madh, dikush që është i lidhur me Milanin dhe që ka punuar mirë për këtë klub. Por ne ndjekim një model më inovativ, të paktën për Italinë, se si të drejtojmë një klub”, tha Scaroni dhe më pas vazhdoi:
“Kjo na çon në faktin që të gjithë duhet të punojnë si ekip. Kemi ndjesinë që Maldini nuk është ndjerë mirë në një organizim të tillë dhe se është më mirë që ne të ndaheshim. Sigurisht që Maldini ka pasur një rol në të gjitha sukseset e Milani dhe ne i jemi mirënjohës, por Milani nuk ka nevojë për të”.
Pas kësaj, ai tha se trajneri Stefano Pioli është figura qendrore e projektit, ndërsa mediat në Itali ditët e fundit shkruanin se Maldini dëshironte ta largonte Piolin dhe ta zëvendësonte me Andrea Pirlo.
Gjithashtu shtohet se Maldini ishte kryesisht i pakënaqur me vendimin e drejtuesve për të ndarë vetëm 50 milionë euro për këtë merkato.
Ndërkohë, lojtarët e Milanit janë në pushim dhe klubi tashmë ka organizuar tri ndeshje miqësore që do të luhen në korrik dhe gusht kundër Realit, Juventusit dhe Barcelonës.
Milani përfundoi i katërti në Serie A këtë sezon, ndërsa në Champions League u eliminua në gjysmëfinale nga rivali i tyre më i madh Interi.