Mungesa e kampionit, Giresse: Ai lojtar po i bën shantazh Kosovës!

Mungesa e kampionit, Giresse: Ai lojtar po i bën shantazh Kosovës!

Të premten në një konference për shtypin, trajneri i Kosovës Alain Giresse ka arsyetuar listën e 23 futbollistëve të ftuar për ndeshjet që Dardanët do t’i zhvillojnë këtë muaj: ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë.

Trajneri francez fillimisht foli për gjendjen e skuadrës dhe përgatitjet që skuadra po bën për të arritur rezultate më të mira se ato të muajit Mars.

Grumbullimi për dy ndeshjet që i luajmë ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë, ka filluar para dy ditësh. Dhe po zhvillohet në mënyrë progresive, pasi ende nuk janë të gjithë lojtarët këtu.

Nuk po i mbajmë stërvitjet 100% për shkak se po presim të na bashkohen të gjithë lojtarët. Nuk do koment fakti se këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme.

Ajo çfarë do të bëjmë për këto përballje është që do të tentojmë të mendojmë sa më pak për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Do të mobilizohemi të përgatitemi sa më mirë.

Ju i referoheni dy ndeshjeve të kaluara që u mbyllën barazim kur thoni se kishim dy rezultate negative. Por, nëse rezultati me Andorrën ishte negativ unë nuk konsideroj se rezultati me Izraelin ishte i tillë. Prandaj duhet të fokusohemi dhe të shohim përpara”.

I pyetur për një pjesë të futbollistëve të njohur që nuk janë ftuar për këto ndeshje, Giresse arsyetoi:

Sa i përket Florent Hadergjonajt, ka të bëjë me arsye personale pse ai nuk ka mundur të jetë pjesë e grumbullimit. Te Valon Berisha mund të them se është zgjedhje sportive, pra është vendimi im.

Tek Arbër Zeneli e Zymer Bytyqi, ka të bëjë me minutazhin e limituar që kanë pasur në klubet e tyre. Qoftë në aspektin moral ashtu edhe fizik, unë nuk mendoj se ata ishin të gatshëm për t’u grumbulluar.

Madje, me Zenelin kam diskutuar për këtë çështje. Edhe Mirlind Daku është zgjedhje sportive për disa arsye. Pastaj ju e dini që në repartin e sulmit kemi shumë lojtarë, edhe pse jam i vetëdijshëm se ai po luan mirë”.

Nga të gjitha mungesat njëra prej tyre ka bërë bujë në veçanti. Lënia jashtë liste e mesfushorit Arbnor Muja, i ka çuditur të gjithë. 24-vjeçari, i cili aktivizohet tel Antwerpi në Belgjikë, ka qenë pjesë integrale e suksesit që skuadra e Van Bommel arriti sivjet.

Duke u shpallur kampione dhe fituese e Kupës së Belgjikës. Gjithsesi edhe trajneri, por edhe menaxheri i ekipit Bajram Shala, lanë të kuptohet se Muja i ka bërë shantazh Kosovës. Duke kërkuar garanci për aktivizimin si titullar.

Unë i kam shpjeguar se askush nuk e ka vendin e sigurt në ekip… Dhe nëse ai mendon kështu, atëherë më mirë të mos vijë fare”, u shpreh Giresse.

Nga dita e enjte Kosova ka filluar përgatitjet, ndërsa prej të premtes ka nisur me nga dy seanca stërvitore në ditë. Në grupin I të eliminatoreve të Euro 2024, Dardanët kane fituar dy pikë.

Falë barazimeve 1-1 në Izrael dhe në “Fadil Vokrri” ndaj Andorrës. Kosova përballet me Rumaninë (16 qershor) ne stadiumin “Fadil Vokrri”. Tri ditë më vonë do të luhet dueli ndaj Bjellorusise në Hungari.