Përplasjet e punëtorëve, luftë për pastrim në “Ismail Qemali” (VIDEO)

ismail qemali

Punëtorët teknikë të sektorit privat në shkollën fillore “Ismail Qemali” në kryeqytet shkojnë çdo ditë në punë, por nuk bëjnë gjë prej 1 prillit.

Madje të mërkurën i penguan dhe nuk i lejuan të hyjnë në shkollë higjienistët e NPB-së të angazhuar nga komuna për mirëmbajtjen e shkollës në fjalë, për çka u deshtë edhe intervenimi i policisë.

Kjo situatë pason për shkak se 11 punonjësit e deritanishëm që kanë vepruar në kuadër të një operatori ekonomik, i ka skaduar kontrata me komunën.

Higjienistët e papunë shprehen të mllefosur dhe paralajmërojnë masa revoltuese, teksa thonë se përkundër pagave të vogla prej 250 eurove, mungesa e tyre ua ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe nuk kanë se si ta paguajnë kredinë.

Për situatën e krijuar, Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat po e lë fajtore komunën që e cilëson si të papërgjegjshme. Drejtuesi i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, bën me dije se cilado kompani që e fiton tenderin për mirëmbajtjen e shkollave e ka për obligim që t’i merr përsëri në punë të njëjtit punëtorë.

Nga drejtoria e arsimit treguan se lënda për tenderin në fjalë ka shkuar në OSHP, ani se është shpallur fituesi, teksa u bë me dije se paga 250 euroshe me kontratën e re do të jetë 300.

Po ashtu sipas komunarëve, operatori ekomomik ka obligim ti ri-punësojë punëtorët teknikë që në të kaluarën kanë qenë pjesë e sektorit publik, por që synimi është që të përfshihen edhe gjithë të tjerët, pa dallim.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.