Nga gjuajtja me gurë te tentimvrasja e rëndë, gazetarët ende në rrezik (VIDEO)

GAZETARET

Ambienti i të bërit gazetari në Kosovë, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës nuk është fare i sigurt. Sipas të dhënave të këtij asociacioni, vetëm gjatë vitit 2022, janë raportuar 33 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medial.

Gjashtë prej këtyre rasteve ndodhën në dhjetorin e 2022-ës, në veri të vendit. Në mesin e të sulmuarve ishte edhe ekipi i Klan Kosovës. Më 26 dhjetor, gazetarët, Qendresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsat Sinani u sulmuan me gurë nga katër persona në Zupq të Zubin Potokut, nga ku po raportonin për barrikadat në veri.

Bellagoshi thotë se grupi që sulmoi ekipin e televizionit ka qenë në dijeni se kishin të bëjnë me gazetarë.

Sulmet ndaj gazetarëve vazhduan edhe gjatë vitit 2023. Mbrëmjen e 16 marsit, u tentua të digjej shtëpia e gazetarit të radio-televizionit të Kosovës, Alban Selimi.

Selimi shprehet i bindur se rasti ka ndodhur vetëm për shkak të punës së tij si gazetar hulumtues.

Ndonëse kanë kaluar disa javë që kur ka ndodhur sulmi, ai thotë se ai dhe familja e tij ndihen ende të rrezikuar.

Për rastin e Selimit që nga prokuroria u cilësua si tentim vrasje e rëndë u prangos 42-vjeçari Arsim Limani, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.

Ndërsa, për rastin e sulmit ndaj ekipit të televizionit Klan Kosova, ende nuk është identifikuar e as arrestuar ndonjë i dyshuar.

Nga AGK shprehen të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve nga organet e hetuesisë.

Sipas AGK-së, sulmeve fizike ndaj gazetarëve u paraprijnë deklaratat denigurese dhe diskredituese që vijnë nga personat e pushtetshëm.