Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit 2023, raport i publikuar sot nga Reporterët pa Kufi, Kosova ka shënuar progres dhe ka përmirësuar pozicionin e saj me 22 vende në dy vjet për mjedisin e saj gazetaresk.
Këtij rezultati i janë gëzuar krerët e shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti duke bërë edhe disa postime në rrejte sociale rreth kësaj teme.
Por për juristen e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ata nuk kanë merita për këtë sukses.
“Këto raporte që kanë dal sot nuk janë meritë as e Osmanit e as e Kurtit, sepse te dytë në pozitat që i kanë nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim në mënyrë që ne ta kemi këtë përmirësim. Rezultati i këtyre raporteve është rezultat i punës më shumë se 20-vjeçare, sidomos i investimit ndërkombëtar që është bërë në Kosovë në mënyre që të krijohet në ambient i mirë i mediave”.
Normalisht që edhe Kurti edhe Osmani janë gëzuar, por nuk besoj që ka hapësirë që ata t’i marrin meritat, në fakt mendoj që është e kundërta. Nëse në fillim të qeverisjes Vetëvendosje e GUXO patëm disa iniciativa pozitive, si p.sh. zgjedhja e bordit te RTK-së, tash kemi tendencë të kundërt – të kapjes së televizionit publik. Ne kemi drejtorin e televizionit që është mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje. Sot ka rrezik që KPM-ja të kapet nga Vetëvendosja, pritet që të votohen anëtaret e rinj të Komisionit të Pavarur për Media”, deklaroi ajo në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.
Kusari tutje vlerësoi se ne kurrë nuk kemi pasur luftë speciale kundër gazetarëve, siç e kemi tani, e që kjo sipas saj vjen kryesisht nga pushteti.
“Qasja e njerëzve në pushtet, qoftë e zëdhënësve, qoftë e njerëzve të komunikimit me parti është që ‘gazetarët janë armiku i popullit, këta rrejnë, këta shpifin, mos i besoni – besonani neve’. Dhe kjo pastaj rezulton edhe në dhunë fizike. Ka ndodhur në shumë shtete dhe ndodh edhe te ne. Kështu që nuk ka këtu hapësirë për asnjë lëvdatë për njerëzit në pushtet – është e kundërta”, u shpreh juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari.
*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.