Gjermania druan se situata në veri mund të rindizet, e vazhdon prezencën ushtarake në Kosovë

kfor bundeswehr kosova

Gjermania po e konsideron vendosjen e ushtarëve të saj në Kosovë përmes misionit të KFOR-it si mision të suksesshëm.

Kështu së paku po konsideron Ministria gjermane e Mbrojtjes, e cila ka thënë se ushtarakët gjermanë (Bundeswehr) në Kosovë i shërbejnë stabilizimit të vendit, raporton Klankosova.tv.

Për këtë arsye, Kabineti Federal ka vendosur që pjesëmarrja e Bundeswehr-it në praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë të zgjatet edhe për një vit.

Pas këtij vendimi të kabinetit federal qeveritar, i njëjti shkon në Parlament për diskutim dhe vendimmarrje.

Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë konsideron se që nga fillimi i operacionit të KFOR-it, situata në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor është stabilizuar ndjeshëm.

Në vitet e fundit, thotë kjo ministri, NATO-ja ka qenë në gjendje të reduktojë gradualisht dhe ndjeshëm forcat e saj në rajon.

“Aktualisht po zhvillohet një dialog ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve. Megjithëse republikat po afrohen ngadalë, ka ende potencial për përshkallëzim. Tensionet e vjetra mund të ndizen sërish, veçanërisht në veri të Kosovës”, thotë MM-ja e Gjermanisë, raporton Klankosova.tv.

Më tej, në arsyetimin për zgjatjen e mandatit të forcave gjermane në KFOR, thuhet se prania e Bundeswehr-it në Kosovë është ende e nevojshme “për shkak të potencialit ekzistues për përshkallëzim në rajon”.

“Kjo është arsyeja pse Gjermania do të vazhdojë të mbështesë këtë mision në kuadër të NATO-s për të siguruar ushtarakisht paqen në rajonin e Ballkanit. Ky është parakusht për zhvillimet e mëtejshme politike, sociale dhe ekonomike në Republikën e Kosovës deri në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo do të hapë perspektivën e anëtarësimit në BE për të dy vendet”, potencoi Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë.

Pas vendimit të kabinetit qeveritar, Bundestagu gjerman do të diskutojë në lexim të parë midis 10 dhe 12 maj dhe do të votojë në lexim të dytë më 26 maj 2023 vendimin për vazhdim të mandatit gjerman në KFOR. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS