14-vjeçari e trand Serbinë, vret tetë nxënës (VIDEO)

14-vjeçari e trand Serbinë, vret tetë nxënës (VIDEO)

Personit të cilit policia ia mbuloi fytyrën është një fëmijë që të mërkurën kreu një krim të rëndë në Serbi.

14-vjeçari vrau tetë nxënës të shkollës fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Po ashtu, ia mori jetën edhe një punëtori të sigurimit.

Plumbat që Kosta Kecmanoviq i shkrepi nga arma e babait të tij, qëlluan edhe një mësuese dhe gjashtë fëmijë të tjerë, që patën fatin të shpëtojnë, por të cilët janë nën trajtim mjekësor.

Pas hetimeve fillestare autoritetet thanë se atentati ishte planifikuar për një kohët të gjatë  në detaje nga autori, që edhe vetë ishte nxënës i shkollës në të cilën kreu krimin.

Policia ia gjeti skicat me emrat fëmijëve që 14-vjeçari i kishte planifikuar t’i vrasë nga secila klasë, por ende nuk zbuluan motivin që shtyu Kecmanoviq për ta bërë realitet tragjedinë.

“Ai vetë vizatoi planet e hyrje-daljes së shkollës, të cilat gjendeshin në tavolinën e tij të shkrimit. Ai vendosi objektiva prioritare. Skica duket pak si nga ndonjë video-lojë ose nga një film horror që tregon se ai ka planifikuar me detaje se si të hyjë në cilën klasë dhe si të likuidojë secilin fëmijë dhe sipas cilit numër nga klasat: 7.2, 8.4, 6.4 dhe 7.3”, tha Veselin Milic, shef i departamentit të policisë së Beogradit.

Ngjarjen e rëndë e pa një nxënëse që dikur ndante një klasë bashkë me atentatorin.

“Një djalë u qëllua në këmbë. Një vajzë tjetër  u plagos, mendoj edhe dy djem të tjerë. Por ai nuk i qëlloi të gjithë. Ishte e tmerrshme”, tha njw dëshmitare okulare.

Deri para këtij krimi, 14-vjeçari nuk njihej si tip nxënësi me potencial për të bërë keq. Madje, edhe notat nuk i kishte të këqija.

“Ai ishte një djalë i qetë, dukej bukur, kishte edhe nota të mira, por ne nuk dinim shumë për të. Ai nuk ishte shumë i hapur me ne”, vazhdoi ajo.

Autoritetet thanë se e arrestuan edhe babanë e autorit të krimit. Kjo pasi u gjetën fakte se prindi i Kecmanociq e kishte marrë shpesh me vete të birin për gjuajtje me armë në poligon të qitjeve.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.