Brukseli kësaj radhe mund të mos e ketë fatin e Ohrit. Në vendin ku Kurti e Vuçiq do takohen të martën vonë për bisedime, vështirë është të pajtohen për ndonjë gjë.
Kështu po mendon kryeparlamentari, Glauk Konjufca, derisa për mosarritjen e një ujdie fajtor e lë Serbinë.
“Unë nuk pres që Serbia do të ndryshojë shpejt dhe që ta kemi një Serbi demokratike e cila e pranon popullin e Kosovës si popull sovran”, tha Konjufca.
Në mosdakordim mes palëve mund të ndikojë edhe pika e dytë e këtij raundi bisedimesh që është draft statuti për asociacionin.
“Ne nuk guxojmë të lejojmë që një draft i të ashtuquajturit ‘i ekipit menaxhues’ që në realitet është draft i Vuçiqit të bëhet draft i bisedimeve, ne duhet ta kemi draftin tonë, që nën 1 është në përputhje të plotë me kushtetutën, nën 2 është në përputhje të plotë me vendimin e kushtetueses të vitit 2015”, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Gjithsesi, krerët e shtetit bënë thirrje që partnerët ndërkombëtarë të sigurohen që çdo hap që premtohet edhe të zbatohet në plotëni.
klankosova.tv