Ish-pjesëmarrësi në dialogun Kosovë-Serbi, Bekim Çollaku, ka folur në lidhje për takimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin, në Bruksel.
Sipas Çollakut, në lidhje me Deklaratën për të Zhdukurit duhej të ishte një marrëveshje dhe jo të tkurret në një deklaratë.
“Atëherë unë mendoj që palën kosovare, për qytetarët e Kosovës për më tepër se 20 vite janë duke pritur për të zbardhur fatin e personave të tyre të dashur, padyshim se kjo deklaratë është e mirëseardhur dhe shpresojmë shumë se e njëjta do të implementohet dhe do i vjen fund ankthit të 23-vjecar në lidhje me fatin e personave të pagjetur”, u shpreh Çollaku në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Kritika e vetme nga unë është zvarritja e arritjes së kësaj deklarate e cila ka qenë si marrëveshje, është diskutuar nga qeveritë e kaluara dhe ka qenë gati pothuajse qe dy vite, për më tepër është dashur që të jetë marrëveshje, jo të tkurret në deklaratë sepse do të duhej që të ishte një marrëveshje duke pasur parasysh se çfarë rëndësi ka kjo për Kosovën dhe për familjarët që ende ballafaqohen me fatin e hidhur duke mos qenë në gjendje të dinë për fatin e personave të tyre më të dashur”.
Ai shtoi se kjo deklaratë duhet të përmbajë një plan zbatues, pasi sipas tij, në këtë formë nuk ëshë e mjaftueshme.
“Është zvarritur për asnjë arsye deri më tash, dhe e njëjta ka marrë formën e një deklarate e cila përsëri duhet të përmbajë një plan zbatues sepse si vetëm një deklaratë e tillë nuk është e mjaftueshme”.