Andin Hoti: Për herë të parë me dokument zyrtar Serbia pranon t’i japë dokumentet e klasifikuara

Andin Hoti: Për herë të parë me dokument zyrtar Serbia pranon t'i japë dokumentet e klasifikuara

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ka folur pas miratimit të Deklaratës për të Zhdukurit e Luftës në Kosovë.

Ai ka treguar se si pala kosovare në dialogun Kosovë-Serbi, pjesë e së cilës ishte edhe ai, kishin insistuar në pikat kryesore që lidhen me këtë deklaratë.

“Njëra prej tyre ka qenë termi Persona të Zhdukur me Forcë, për dy arsye. E para, që duhet të trajtohen dinjitetshëm personat që janë zhdukur në Kosovë, dhe të tregohet mënyra se si janë zhdukur”, ka thënë Hoti për Edicionin Special të Klan Kosovës.

“Dhe e dyta, deklarata si deklaratë – sepse është një deklaratë nuk është një marrëveshje – të ketë edhe pika juridike. Të ketë edhe efekt juridik. Edhe termi Persona të Zhdukur me Forcë derivon prej Konventës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Forcë prej OKB-së.

“Edhe e dyta që ka qenë shumë e rëndësishme për neve, që e gjejmë te zotimet. Zotimi i dytë duhet të jetë, është që të gjitha dokumentacionet në këtë rast ne kemi aluduar në arkiva, të gjitha arkivat e klasifikuar duke i përfshirë edhe ato të klasifikuara në posedim të shteteve duhet të hapen për njëra-tjetrën”.

“Për herë të parë me një dokument zyrtar miratohet prej dy shteteve në këtë rast Kosovës dhe Serbisë ku Serbia pranon në fakt me i dhanë arkivat e klasifikuara, ato të luftës së fundit në Kosovë dhe ne shpresojmë dhe besojmë shumë që nëse i jep, sepse deklarata duhet të implementohet sepse vetëm si deklaratë nuk është asgjë pa implementimin e saj, ne shpresojmë shumë që këto arkiva na të jenë një udhërrëfyes për ne, për zbardhjen e fatit të përsonave të zhdukur”.

Hoti po ashtu e adresoi edhe çështjen e termit të përdorur, duke thënë se dallon përkthimi nga anglishtja në shqip, mirëpo kuptimi mbetet i njëjtë pasi që mbështetet në termin e Koventës së OKB-së për Personat e Zhdukur.

“Personat e zhdukur me dhunë nëse e flasim në gjuhën shqipe janë persona të zhdukur me dhunë. Nëse e përkthejmë në anglisht, personat e zhdukur me dhunë nuk ekzistojnë. Violent, nuk ekzistojnë. Domethënë në anglisht nëse përkthehet bukvalisht, janë persona të zhdukur me forcë. Dhe personat e zhdukur me forcë e gjeni te Konventa Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur me Forcë e OKB-së që natyrisht mund ta gjeni shumë lehtë në interet. Prandaj jo, nuk ka pasur zhvendosje. Tendenca prej Serbisë po. Tendenca prej Serbisë ka qenë prej fillimit e deri më sot që të largohet ky term në tërësi, kanë dhanë variante të ndryshme, kanë dashtë me e largu pikërisht këtë term. Por në fund, mendoj që prej Bashkësisë Ndërkombëtare sepse natyrisht ne nuk kemi mundur, por u është imponuar Serbisë që ta pranojë me një formë krimet që i ka bërë në Kosovë”.